Të gjithë i kemi veçoritë dhe cilësitë tona që na dallojnë nga njëri tjetri, qoftë për sa i përket zakoneve apo edhe karakteristikave të tjera, prandaj është evident fakti që secili njeri shquhet për diçka të veçantë që posedon. Të veçantë, padyshim që janë edhe njerëzit që shkruajnë apo bëjnë veprime të tjera me dorën e majtë dhe janë vetëm rreth 10% e popullsisë së përgjithshme, ata që bëjnë pjesë në këtë grup njerëzish. Në këtë grup bën pjesë edhe z. Burim Gashi, i cili pyetjes së Radio KFOR-it, për vështirësitë që mund t’i ketë hasur gjatë jetës për shkak të të qenit majtak, iu përgjigj kësisoj: “Është shumë interesante, sepse thonë që kjo punë mund të jetë edhe gjenetike, mirëpo në rastin tim aspak, sepse në familjen dhe farefisin tim të gjerë, nuk ka asnjë person që shkruan me dorën e majtë, prandaj mbaj mend që kur isha fëmijë, prindërit insistonin vazhdimisht që të ma aktivizonin dorën e djathtë, e kujtoj si sot, mundoheshin që përmes pikturave, sepse kam dashtë gjithmonë të më mësonin të vizatoja me dorën e djathtë, por e kisha ta pamundur dhe pas shumë insistimeve, u dorëzuan dhe sot e kësaj dite shkruaj e pikturoj me dorën e majtë dhe nuk do të mund ta paramendoja veten duke vepruar me dorën e djathtë siç bëjnë pothuajse të gjithë njerëzit.”
Kujtojmë që sot (13 korrik) shënohet ‘Dita Botërore e Majtakëve’, e cila për herë të parë u shënua në vitin 1992, duke bërë bashkë komunitetin majtak, për të rritur ndërgjegjësimin për avantazhet dhe disavantazhet e të qenit majtak.
Sipas shkencëtareve personat majtak kanë më të zhvilluar hemisferën e djathtë të trurit që lidhet me logjikën, arsyetimin dhe krijimtarinë, duke i bërë ata më inteligjentë dhe më të talentuar, si p.sh.: Leonardo da Vinçi, Bill Gates, Aristoteli, Anshtajn, Marie Curie, Barak Obama e shumë njerëz të tjerë të jashtëzakonshëm.