Festat e fundvitit sjellin gëzim tek të gjithë ne, shpirti festiv kalon nga një njeri tek tjetri përmes dritave vezulluese, përmes bredhit e gjithashtu edhe nga ushqimi i shijshëm që karakterizon këtë periudhë të vitit.
Por, ëmbëlsirat janë ato të cilat më së shumti i konsumojmë gjatë këtyre festave, e më së miri për kërkesat e ëmbëlsirave, na tregon përgjegjësja e prodhimit në fabrikën e ëmbëlsirave “Sweets Charlie”, Arbenita Zejnullahu, e cila për Radio KFOR-in tha: “Si kompani jemi munduar të bëjmë përgatitje sa më të mirë për të gjithë klientët tanë, të cilët mund të bëjnë përzgjedhje të ndryshme. Ëmbëlsirat që përgatisim gjatë kësaj sezone festive janë shumë të veçanta e padyshim ajo që i dallon më shumë janë edhe dekoret të cilat kanë karakter festiv. Gjatë kësaj periudhe të vitit punojmë edhe ëmbëlsirat me personazhet e festave të fund vitit, të cilat zakonisht janë kërkesë e moshave të reja.”
Nga ushqimet më tradicionale në tërë botën konsiderohet gjeli i detit, i cili konsumohet më së shumti gjatë festës së Falënderimeve, mirëpo dhjetori sjell edhe më shumë gëzim me festat e Krishtlindjes dhe Vitin e Ri, të cilat po ashtu karakterizohen me ushqime tradicionale me shumë kalori, të ëmbla, verëra të nxehta, dekorime të ndryshme dhe kakao e nxehtë.