Ditë më parë zyrtari komunal i sportit në Komunën e Kamenicës, z. Shehat Rrudhami në bashkëpunim me pjesëtarë të Ekipit Ndërlidhës dhe Monitorues (LMT), të cilët veprojnë në kuadër të KFOR-it organizuan ndeshje futbolli mes dy ekipeve të veçanta, të rinjtë e shkollës së futbollit “Dardana” dhe pjesëtarë të KFOR-it, të cilët përveç lojës patën rastin të njoftohen dhe të bisedojnë për tema të ndryshme.
Për ta parë këtë lojë nga afër, Radio KFOR -i ishte atje i pranishëm, ku dhe pati rastin të bisedojë me rreshterin amerikan, Taylor Tobar, i cili tha:
“Para se të mblidheshim, bisedova me të gjithë fëmijët dhe u thashë atyre arsyen pse ne jemi këtu, të sigurojmë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë në Kosovë. Pra, ne duam të sigurohemi që ata ta dinë këtë dhe poashtu t’i njoftojmë ata që mund të vijnë dhe të flasin me ne, pa hezituar, në çdo kohë.”
Nga ana tjetër, zyrtari i sportit në Komunën e Kamenicës, Shehat Rrudhami u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e KFOR-it dhe ndikimin që pati ky organizim tek fëmijët e kësaj komune.
“Bashkëpunimi mes KFOR-it edhe rinisë është shumë i mire, fëmijët që merren me sport, kur kontaktojnë njerëz që janë të nivelit të lartë ndihen më të sigurt dhe më mirë.”
Loja e zhvilluar përfundoi me rezultat të barabartë, ku të gjithë pjesëmarrësit ishin fituesë, por më të ngazëllyerit ishin fëmijët pjesëmarrës. Njëri nga lojtarët, për Radio KFOR-in, u shpreh:
“Unë jam Erion Leci, jam në shkollën e futbollit “Dardana” në Kamenicë. Me ushtarët kemi kaluar shumë mirë, ishte një lojë shumë e mirë. Jam ndjerë I sigurtë dhe kemi kaluar shumë mirë.”
Pjesëtarët e KFOR-i në Kosovë, përveç që ofrojnë siguri për të gjithë, pa dallim, ata angazhohen edhe në aktivitete të ndryshme, për të ndihmuar popullatën e Kosovës që të kenë një të ardhme më të mirë.