Në vazhdën e promovimit të historive të suksesit, apo ngjarjeve të ndryshme në dobi të shoqërisë, qoftë nga individë apo organizata të ndryshme, Radio KFOR-i në këtë artikull ju sjellë aktivitetin shumetnik të organizuar nga ‘Hapësina shoqnore për dekonstruksion’. Bëhet fjalë për një lojë shahu, që po bënë bashkë komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë.
Ndonëse nga Franca, i riu 22 vjeçar, Pablo Dulac, ka ardhur në Kosovë dhe përmes lojës së shahut, mëton të bëjë bashkë serb dhe shqiptarë, në mënyrë që të thyhen stereotipet, paragjykimet dhe barrierat në mes të këtyre dy komuniteteve: “Detyra ime është të krijoj ide për ngjarje, t’i organizoj dhe t’i gjallëroj ato, në mënyrë që ti sjell në jetë apo në komunitetet. Ideja kryesore është që të mund të përzihen komunitetet që jetojnë në Mitrovicë, në këtë rast shqiptarët dhe serbët. Vetë si lojtar, e kam pasur idenë që të krijoj një klub shahu në Mitrovicë, për të ofruar një vend të sigurt dhe të ngrohtë për ata që dëshirojnë të mësojnë ose të luajnë së bashku. Gjithmonë me idenë e përzierjes së komuniteteve të ndryshme. Prandaj, ne i alternojmë emërimet në veri (shumica serbe) dhe në jug (shumica shqiptare). Shahu është një lojë që nuk kërkon të flasësh të njëjtën gjuhë. Të jetuarit së bashku, na lejon të kuptojmë më mirë kompleksitetin e tjetrit, të asaj që e përjeton dhe e ndjen. Kjo vetëm sa mund të na afrojë, sepse ndoshta po përjetojmë gjëra të ngjashme”, tha për Radio KFOR-in, z. Dulac.
Lojërat gjithmonë i kanë bashkuar njerëzit, pavarësisht dallimeve ndërmjet tyre dhe ato na lejojnë të kujtojmë gjërat e mira të të jetuarit së bashku.