Për të tretën herë radhazi, të rinjtë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, do të bëhen bashkë për të diskutuar për paqe dhe për rolin e tyre në ndërtimin e saj përmes ‘Local Youth Peace Camp’. Kjo ngjarje e cila do të mbahet në Leposaviq, vjen në organizimin e OJQ-së ‘Local Peace’, me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe United Youth Task Force, kështu tregoi për Radio KFOR-in trajneri i këtij kampi, z. Gentrit Behramaj: “Ky kamp është një lloj trajnimi që po ndodhë për herë të III-të, ndërsa është viti i II-të që po mbahet në Leposaviq. ‘Local Youth Peace Camp’ është një aktivitet që rrjedhë nga ‘Youth Peace Camp’, që është kampi më i madh evropian e që organizohet nga Këshilli i Evropës. Përmes këtij aktiviteti, po mundohemi që të rinjtë e komunitetit shqiptar, serb, boshnjak, turk si dhe të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë, jo vetëm që t’i bëjmë bashkë, por gjithashtu t’i përfshijmë ata në aktivitete të kampit, përmes së cilave do t’u mësojmë rreth proceseve të ndërtimit të paqes si dhe të kuptojnë rolin e tyre në ndërtimin e paqes.”
Të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij aktiviteti, thirrja për aplikim do të jetë e hapur deri më 15 nëntor, ndërkohë formularin për aplikim e gjeni në adresën e mëposhtme elektronike: https://forms.gle/jeJLC98tBZE8w3rT6