“Global Shapers Prishtina” ka vendosur të sjell një format kreativ të ligjëratave inspiruese me njerëz të suksesshëm, të cilin sot (27.02.20), do e nisin me gazetaren dhe ndërmarrësen e suksesshme, Znj. Linda Shala.
Ky bashkëbisedim me Linda Shalën, i cili do të jetë pa pagesë dhe i hapur për të gjithë, do të fillojë sot në orën 17:00, ndërsa të rinjtë që do të marrin pjesë do ta kenë mundësinë që të dëgjojnë për përvojën 35 vjeçare të Znj. Shala si gazetare dhe ndërmarrëse e suksesshme si dhe këshillat e saj për një rrugëtim sa më të suksesshëm në jetë.
Radio KFOR-i ka kontaktuar gazetaren dhe ndërmarrësen, Znj. Shala, e cila përveç që tregoi se për çka do të diskutohet në këtë event, pati edhe një porosi për të gjithë të rinjtë: “Do të debatojmë me të rinjtë për sfidat e përgjithshme të jetës, gjetjen e mundësive në jetë dhe një aktivitet sa më proaktiv të të rinjve, me i nda përvojat tona me ta dhe me ju tregu se asgjë në jetë nuk është e lehtë. Unë asnjëherë nuk hezitoj me u taku me të rinj dhe të reja, me i dëgju hallet e tyre dhe me ju tregu përvojat e mia, sepse ndoshta ndonjë përvojë e imja jetësore mundet me ju ndihmu me gjet vetën në rrugëtimin e tyre. Mendoj se këto organizime janë të mirëseardhura, sepse njeriu e gjen inspirimin kudo. Prezenca e të rinjve në eventin e sotëm është një shenjë e mirë se ata kanë një qasje proaktive ndaj jetës dhe sfidave të saj. Unë e promovoj shumë qasjen proaktive, me qenë sa më dinamikë, me hulumtu, mos me qenë të ngurtë edhe mos me u fokusu vetëm në një drejtim. Eksperienca dhe përvoja me këtë qasje proaktive, japin rezultate.”
Znj. Linda Shala sot është një ndërmarrëse e suksesshme si themeluese e kompanisë “Data Project Electronics” dhe rrjetit të marketeve “TechnoMarket”. Aktiviteti i sotëm realizohet në baza vullnetare nga anëtarët e “Global Shapers Prishtina”. Përkrahës gjeneral i organizatës është Meridian Express, ndërsa mundësohet edhe në përdorimin e hapësirës pa pagesë të “Resource Center Kosovo”.