Të premten (21 shtator) nga ora 20:00, qendra kulturore “Termokiss – Sbunker”, do të sjell një seri të ligjëratave dhe diskutimeve të rëndësishme për aktualitetin tonë social dhe politik si dhe për agjendën zhvillimore në Kosovë.
Nga menaxheri i projektit respektiv, Roni Idrizaj, Radio KFOR-i mësoi se, në këtë aktivitet do të diskutohet për modele të ndryshme të aktivizmit, të përdorura nga ‘HAVEIT’, për përçimin e porosive për barazi sociale, rëndësinë e performancave të artit publik dhe rolin e tij si formë e protestës.
“Deri tani i kemi mbajtur ‘5 TruAktiv Talks’, në të cilat kemi diskutuar për tema sociale. Këtë radhë, kolektivi ‘HAVEIT’, do të diskutojnë bashkë me pjesëmarrësit rreth punës së tyre, ndikimin e artit në çështje të ndryshme sociale dhe guximin për të ndërmarrë aktivitete për çështje që konsiderohen tabu në Kosovë”,shtoi më tej për Radio KFOR-in, Roni Idrizaj.
Kygrant është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për Shoqërinë Civile në Kosovë”, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.