Data e sotme 23 Prill, shënon edhe ‘Ditën botërore të librit dhe të drejtave të autorit’. Tani më shumë se kurrë, në këtë kohë kur shumica e shkollave janë të mbyllura dhe njerëzit janë të kufizuar për të dalur nga shtëpitë e tyre, fuqia e librave mund të përdoret për të luftuar izolimin, për të forcuar lidhjet midis njerëzve dhe për të zgjeruar horizontet tona, duke stimuluar mendjen dhe krijimtarinë tonë.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, e mbajtur në Paris në vitin 1995, vendosi këtë datë zyrtare, duke inkurajuar të gjithë, dhe veçanërisht të rinjtë, të zbulojnë kënaqësinë e leximit, kjo për të nderuar mijëra autorë që kanë pasuruar botën me veprat e tyre.
Radio KFOR-i për këtë ditë zhvilloi një bisedë me një autore të re, Medina Pasoma, e cila së fundmi ka publikuar librin e saj të parë me poezi “Dy oqeane largësi”, e cila ndau me ne pikëpamjet e saj për librin: “Libri ka rëndësi të madhe, nëse e shohim në rrafshin e një autori, libri është mjet që e vulos pavdekësinë e tij përmes fjalës së shkruar, ndërkaq në rrafshin e lexuesit, ai është mjet që formëson mendimet, përmirëson leksikun dhe zhvillon imagjinatën.”
Medina e cila është edhe studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, shtoi më tej se do të vazhdojë rrugëtimin e saj dhe pasionin për fjalët dhe librin, duke u bërë thirrje të gjithë të rinjve ta duan librin dhe të hapin këtë dritare të mundësive të pafundme në botë.
Nëse doni të besoni vërtëtë në magji, atëherë filloni të lexoni dhe libri do të jetë dritarja juaj për të parë botën më ndryshe. Do të udhëtoni, por pa lëvizur fare, në komoditetin e shtëpisë suaj, duke njohur personazhe, qytete, ngjarje interesante që do të ndryshojnë jetën tuaj përgjithmonë.