Libraritë dhe bibliotekat luajnë një rol themelor në shoqëri. Shërbimet që ato ofrojnë krijojnë mundësi për të mësuar, zhvilluar dhe ndihmuar në formësimin e ideve dhe perspektivave të reja që janë thelbësore për një shoqëri krijuese dhe të emancipuar. Ato gjithashtu ndihmojnë në ruajtjen e njohurive njerëzore të trashëguara nga brezat e kaluar, si dhuratë e çmuar për brezat e ardhshëm. Shtëpia botuese ‘Buzuku’ në Prishtinë, është themeluar në vitin 1990 dhe është shtëpia e parë botuese në Kosovë, kurse nga viti 1999 funksionon edhe libraria Buzuku.
Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me pronarin e shtëpisë botuese dhe librarisë Buzuku, Besian Zeneli, i cili tregoi më shumë rreth botimeve të tyre dhe rëndësisë së librit në jetën tonë: “Shtëpia botuese qëllim kryesor ka botimin dhe promovimin e autorëve dhe kulturës shqiptare, po ashtu dhe përkthimin e kryeveprave botërore duke filluar nga ato antike, klasike e deri te modernia e novelistët, të cilët i kemi sjellë në vazhdimësi në gjuhën shqipe, pa lënë anash dhe një fond bukur të madh të librave ndërkombëtarë, ku prin ai në gjuhën angleze. Rëndësia e librit është e madhe dhe e pa zëvendësueshme. Kjo është arsyeja pse ne në vazhdimësi botojmë dhe në të njëjtën kohë distribuojmë librin shqip dhe atë ndërkombëtar.”
Z. Zeneli po ashtu tregoi se në librarinë Buzuku, të interesuarit mund të gjejnë mbi 10.000 tituj të ndryshëm të librave nga vendi dhe e gjithë bota.