Organizata joqeveritare që kryesisht vepron në baza vullnetare “The Ideas Partnership”, do të organizojë nesër, 15 shkurt, aktivitetin shumë të veçantë ‘Libraria që jeton”, i cili synon të paraqes folësit si libra dhe ka për qëllim hapjen e mendjes së lexuesit të librit përmes bisedës mes librit dhe lexuesit.
Ky aktivitet do të mbahet nga ora 14:00 deri në orën 17:00, në Lokalin “Dit’ e Nat”, me ç’rast koordinatorja për vullnetarë dhe mësimnxënie në organizatën “The Ideas Partnership”, Blerinë Hajdini Pajaziti, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se në këtë ngjarje do të ketë pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë: “Aktiviteti ‘Living Library’ funksionon si një bibliotekë normale, ku një vizitor mund të huazojë librin të cilin ka vendosur me lexu. I vetmi dallim është që këto libra janë persona me histori dhe sfida të veçanta që kanë pasur deri në arritje të suksesit të tyre. Gjatë kësaj bisede 20 minutëshe, ata do të tregojnë edhe sfidat dhe paragjykimet që i kanë hasur, po flas për paragjykimet sepse kemi me pas persona që kanë qenë shumë të suksesshëm, po që u përkasin komuniteteve të caktuara, sepse kemi persona të komunitetit LGBTi, do të kemi komedian, historian që është anglez. E gjithë kjo po e përsëris bëhet përmes bashkëbisedimit. Përmes kësaj kemi me arrit me i thy paragjykimet çfarëdo qofshin ato. Patjetër që munden me marrë pjesë nga të gjitha komunitetet. Ne edhe vetë kemi “Living Books” që jetojnë që janë pjesëtarë të komuniteteve. Për shembull, e kemi një person që është një grua shumë e suksesshme, që vjen nga komunitetet pakicë dhe ajo ka me shpjegu se si ka arrite që me punën e saj me hy në Këshillin e Evropës dhe me u punësu aty. Po ashtu, e kemi një të ri të komunitetit serb që jeton në Kosovë, i cili do të flas për sfidat dhe suksesin që e ka pas në Kosovë.”
Koordinatorja Pajaziti, gjithashtu tha se lexuesit do të ballafaqohen me një ide të re të leximit të librave, andaj ju ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë dhe të lexojnë storie të njerëzve të suksesshëm.