Për shkak të pandemisë ‘CoViD-19’, shumica e njerëzve i ka prishur edhe planet për pushime verore, por shumë nga ne nuk e keni lënë anash kënaqësinë e leximit. Përmes librave kemi shëtitur në vendet më të bukura, që shkojnë edhe përtej imagjinatës.
Të interesuar të dimë se sa është lexuar libri gjatë verës, Radio KFOR-i kontaktoi, koordinatoren e librarisë “Dukagjini”, Iliriana Hasaj: “Mund të them se gjatë kohës sa ishim në karantinë ka pasur një ngritje shumë të madhe të lexuesve dhe ka qenë një interesim jashtëzakonisht i madh për blerjen e librit. Në atë periudhë ne kemi funksionuar vetëm online, pasi që libraria si dyqan, është dashur të mbyllej për shkak të kujdesit. Meqenëse, vit pas vit ne po e vërejmë që ka një ngritje të lexuesve dhe është rritur leximi për librin, mirëpo ajo periudhë ka qenë një periudhë që na ka treguar që njerëzit ishin jashtëzakonisht të interesuar që ato ditë të mbylljes në shtëpi t’i kalojnë me librin.”
Se interesimi për lexim është shtuar, e tregon edhe fakti që në këtë librari ishin disa të rinj që blinin libra, e aty Radio KFOR-i takoi znj. Dorentina Berisha, e cila tregoi se sa i vlefshëm është leximi për të: “Për mua leximi është shumë i rëndësishëm sepse së pari zhvillon aftësitë e tua dhe mëson gjëra më shumë. Kam lexuar shumë libra, por më së shumti që më ka pëlqyer është libri “Unë jam Malala”, nga Malala Yousafzai. Është një vajzë që ka bërë shumë për arsimin në vendin e vet dhe normal që më ka lënë shumë përshtypje. Tash për momentin e bleva librin “Chanel – Një jetë si në përrallë”, nga Alfonso Signorini.”
Duke shpresuar se numri i lexuesve të librave do të shtohet vit pas viti, do të përmbyllim këtë artikull me thënien e shkrimtarit Orhan Pamuk: “Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta më ndryshoi.”