Që nga data 1 shtator 2020, pjesëtarët e ‘Let’s Do it Kosova’, iu kanë bashkuar nismës globale për “Ditën Botërore të Pastrimit”, që shënohet me datën 19 shtator, duke ftuar të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e aksionit i cili përfshinë një vetëdijesim mbarë global. “Dita e Pastrimit” për vitin 2020 është fokusuar në mbledhjen e filtrave të cigareve, që përpos dëmeve në aspektin shëndetësor, ato shkaktojnë edhe dëme në aspektin mjedisor, andaj nga të gjithë qytetarët, të cilët duan të bëhen pjesë e fushatës vetëdijesuake, po kërkohet që të realizojnë një video, mjafton edhe video amatore, përmes së cilës njerëzit do t’i bashkohen aksionit për pastrimin e filtrave të cigareve, më 19 shtator dhe kësaj video t’i bashkëngjitni disa fakte, që tregojnë pse është e rëndësishme që filtrat e cigareve të hidhen në shportë. Pse është zgjedhur kjo temë e filtrave të cigareve, për Radio KFOR-in, tregoi Besnik Shabiu, nga ‘Let’s Do it Kosova’: “Këtë vit synimi i kësaj dite, për kundër shumë problematikave mjedisore, fokusi është drejtuar tek mbetjet e duhanit konkretisht tek filtrat e duhanit. Kjo për faktin që qytetarët kanë shumë pak informacione sa i përket dëmeve që shkaktojnë filtrat e duhanit, i cili nuk është i dëmshëm vetëm për shëndetin por edhe për mjedisin. Të gjithë ata konsumues duhani, përveç dëmeve që i shkaktojnë shëndetit, dëme i shkaktojnë edhe mjedisit. Kjo duke ju referuar disa fakteve si: konsiderohet se diku rreth 6 trilion cigare konsumohen brenda një viti, duhet të pritet një pemë për 300 cigare, lirohen me miliarda dioksid karboni dhe metan, nga konsumi i duhanit ka shumë dëme në natyrë si djegia e pyjeve, që janë shkak pikërisht i hedhjeve të cigareve të ndezura.”
Të gjithë ju që dëshironi të bëheni pjesë e fushatës përmes videos, të njëjtës duhet t’i bashkëngjitni disa fakte që tregojnë pse është e rëndësishme që filtrat e cigareve të hidhen në shportë. Videon mund ta shpërndani në profilin tuaj, duke e bërë ‘TAG’ @letsdoitkosova ose ta dërgoni ne emalin zyrtarë info@letsdoitkosova.org. Mundësisht video të jetë jo më shumë se 60 sekonda.
Z. Shabiu gjithashtu tregoi, se në “Ditën e Pastrimit”, do të përkujdesen që të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së ‘CoViD-19’.