Nëse je i talentuar, krijues dhe i apasionuar pas artit, të bëhesh artist është plotësisht një qëllim i arritshëm. Thjesht duhet të ndërmarrësh hapa konkret për ta kthyer ëndrrën tënde në realitet. E ëndrrën e saj për t’u bërë një piktore e njohur, e ka kthyer në realitet dhe e jetëson çdo ditë piktorja e talentuar, Leonita Fazliu, e cila Radio KFOR-it i rrëfeu ndjesinë që përjeton gjatë krijimit të veprave artistike përmes pikturës: “Art për mua është çdo element, simbol që tërheq vëmendjen e shqisave apo emocioneve. Arti përfshinë një gamë të gjerë të aktiviteteve, krijimeve, mënyrave të shprehjes dhe të të jetuarit. Dua të them se çdo gjë në jetë ka të bëjë me art. Për mua piktura do të thotë shumë, të pikturosh është t’i lirosh shqisat, ndjenjat, momentet qofshin ato të këqija apo të mira, është si të shkruash në një letër, por unë i hedh në pëlhurë ngjyrat dhe ndjenjat e mia. Inspirimin e gjej kudo që jam, në çfarëdo momenti që e përjetoj, por më së shumti në shtëpinë time, aty ku jam e rrethuar me art, me vlera të mëdha, në atelen time, ku punoj bashkë me profesorin, vjehrrin tim Hajrushin, ku inspirimi është aty brenda shpirtit të një artisti. Të pikturosh është gjëja më e bukur dhe më me vlerë që mund të bëjë një artist, është ndjenjë e cila nuk përshkruhet me fjalë“, tha Leonita.
Ndonëse fillimi, si në çdo profesion tjetër, është sfidues, por falë punës dhe pasionit tuaj që e keni për artin edhe ju mund të jeni njëri prej artistëve më në zë në të ardhmen.