Me qëllim të reduktimit të aksidenteve në komunikacion, në veçanti të atyre me pasoja fatale, Policia e Kosovës, sot ka mbajtur një konferencë, dedikuar gjendjes së sigurisë në trafik, masave të ndërmarra, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve me akterët tjerë si dhe lansimin e projektit sensibilizues të titulluar “Përqendrohu në ngasje”. Në një prononcim për Radio KFOR-in, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha na informoi më detajisht në lidhje me përmbajtjen e kësaj konference, me theks të veçantë për projektin ““Përqendrohu në ngasje”:
“Ky projekt, i cili parashihet të lansohet sot, ka për qëllim vetëdijësimin dhe bashkërendimin e të gjithë akterëve të tjerë në mënyrë që drejtuesit e automjeteve të kenë parasysh që gjatë vozitjes të jenë të sigurt, të përqendrohen, të shmangin përdorimin e telefonit, që është shkaktar kryesor i shpërqendrimit të tyre në komunikacion ”, theksoi Hoxha.
Në këtë konferencë përveç përfaqësuesve të Policisë së Kosovë, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Infrastrukturës, Federatës së Auto shkollave, AMRKS-së dhe Kolegji Tempulli.