Nuk thuhet kot që familjen nuk mund ta zgjedhësh, ndërsa shoqërinë po dhe është fat i madh, nëse mund të krijosh miq të sinqertë, të cilët të qortojnë kur mund të jesh duke gabuar dhe të duartrokasin kur gëzon suksese. Pikërisht sot (30 korrik), kudo në botë shënohet ‘Dita Botërore e Miqësisë’, e cila u propozua si ditë e shënuar, në vitin 1958, në Paraguay.
Këtë fat të miqësisë së mirë e kanë Vlera Hasimi dhe Miranda Gashi, shoqërimi i të cilave ka nisur që nga bankat shkollore dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i, mori një prononcim nga ato: “Unë thjesht nuk mund ta paramendoj jetën pa Mirin, ajo për mu është gjithçka. Prej më shumë se 25 vitesh jemi shoqe te pandashme, i kemi qëndru afër njëra tjetrës në të mirë e në të keq. Edhe pasi jemi bërë nëna, shoqëria jonë është forcuar edhe më shumë”, tha për Radio KFOR-in, Vlera.
Mirëpo të njëjtin mendim për këtë miqësi kaq të gjatë, e ka edhe mikja e saj, Miranda: “Nuk e di nëse ka pas ndonjë moment që jemi përla për diçka, të dyja e njohim njëra tjetrën aq mirë, sa që kur njëra është nervoz për diçka, tjetra e qetëson dhe anasjelltas. Lela për mu është ndër personat më të çmueshëm që kam në jetë”.
Miqësia e pastër është një privilegj që nuk duhet nënvlerësuar, por duhet kultivuar vazhdimisht nga të dyja palët.