Arsyeja më e rëndësishme për të mësuar një gjuhë të huaj është takimi me njerëz dhe krijimi i miqve të rinj. Të jesh në gjendje të kesh një komunikim më të mirë, ju duhet ta mësoni një gjuhë të re.
Falë financimit nga IOM dhe Ambasadës Britanike, një kurs falas në gjuhën shqipe dhe serbe po ofrohet këtë vit për të rinjtë e Kamenicës.
Nënkryetari i Komunës së Kamenicës dhe njëherit ligjërues i gjuhës shqipe, për studentët serbë, Bojan Stamenkovic, për Radio theksoi:
” Në shtator, ne do të vazhdojmë me klasa të kursit A1, për fillestarët shqiptarë dhe serbë. Unë mendoj se kjo është temë shumë e rëndësishme sepse është fillimi i gjithë historisë së suksesshme. Derisa barrierat gjuhësore të mos hiqen, asgjë nuk mund të bëhet, asnjë projekt i përbashkët, asnjë bashkëjetesë, asnjë përparim apo ndonjë lloj shoqërizimi nuk bëhet. Hiqni ato pengesa gjuhësore, mësoni gjuhën e fqinjëve tuaj dhe pastaj gjithçka do të jetë më e lehtë për ju ”.
Kolegia i tij, ligjëruese e gjuhës serbe për studentët shqiptarë dhe njëherit zyrtare për Kthim, Riatdhesim dhe Barazi Gjinore në Komunën e Kamenicës, Teuta Kastrati, ka ftuar të gjithë të rinjtë që të shkojnë në këto kurse, sepse do të përfitojnë nga ajo gjë:
“Komuna e Kamenicës është një vend multietnik ku me vite punojnë dhe jetojnë së bashku njerëz të komunitetit serb, shqiptar, por kemi edhe pjesëtarë të komunitetit rom, të cilët e kanë parë që nuk ka metodë tjetër përveç se përmes komunikimit të vazhdojmë të jetojmë së bashku.
Mesazhi im do të ishte mos kemi urrejtje ndaj gjuhës , të mos kemi urrejtje ndaj njëri-tjetrit, të dimë të komunikojmë, sepse është vërtetë koha që të ecim përpara , të jemi më transparent, më tolerantë dhe më komunikativ, e këtë mund ta bëjmë me njohjen e gjuhës së njëri-tjetrit. Do të ofrohemi shumë me njëri-tjetrin, nëse e dimë gjuhën e njëri –tjetrit.”
Të rinj të shumtë janë ata që e ndjekun kursin e gjuhës serbe dhe shqipe, e ndër ta janë edhe Mirjana Trajkovic dhe Suma Zajmi, të cilat për Radio KFOR-in ndanë përvojat e tyre personale.
“Ky kurs më ka ndihmuar shumë që nga gjërat themelore, edhe pse i kam njohur disa prej tyre më parë, fillimisht mësova për numra, emra dhe më pas mësova se si të komunikoj në restorant, në rrugë, në zyrë, si dhe gjithashtu në situata kur jemi duke blerë diçka për të pyetur për një çmim. Kam mësuar shumë, që më lejon të funksionoj normalisht në mjedise të ndryshme “, tha Mirjana Trajkovic.
Nga ana tjetër, Suma Zajmi, theksoi: “Kursin e gjuhës serbe e kam filluar në janar të këtij viti, i cili ka zgjatur diku 40 orë. Unë kam përfituar shumë, jam farmaciste me profesion dhe çdo i katërti apo i pesti pacient që ka ardhur në barnatore mund të them se ka qenë serb dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse më ka shty me mësuar gjuhën. Të gjithë të rinjtë duhet që pozitivitetin dhe energjinë e tyre ta ndajnë për të mësuar një gjuhë të huaja, në këtë rast edhe gjuhën serbe për të krijuar rreth sa ma të gjerë, shoqëri sa ma të mirë, për me pas një të ardhme sa më të shëndosh, pra mendoj se gjuha është një çelës kyç për tua hapur rrugën të rinjve.“
Kursi i gjuhës serbe dhe shqipe është falas dhe çdokush mund të aplikojë, pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike dhe moshës. Edhe një herë Komuna e Kamenicës ka dëshmuar se vetëm përmes punës, tolerancës dhe bashkëpunimit mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë!