Koha e përdorimit të një qeseje të plastikës është vetëm 30 minuta. Por, dëmet që një e tillë ia shkakton mjedisit, janë të pariparueshme për qindra vite. Sipas studimeve që janë bërë së fundmi, duhen 500 vite për t’u dekompozuar një qese plastike, shumica prej të cilave përfundojnë në dete, ku po ndikojnë në zhdukjen e specieve të shumta.
Nisur nga ky fakt, secili nga ne mund të bëjë shumë për mjedisin, vetëm duke mos përdorur qese të plastikës gjatë blerjes, thotë koordinatorja në organizatën mjedisore “Let’s Do It Kosova”, Sherife Shabani e cila për Radio KFOR-in përmendi disa shprehi të blerjeve që mund t’i praktikojmë të gjithë, në mënyrë që dëmi në mjedis të jetë minimal: “Sigurisht që mënyrat apo shprehitë se si ne bëjmë shopping kanë ndikim në mjedis – ndikim ngativ apo pozitiv, e kjo varet nga mënyrat që ne zgjedhim të bëjmë blerje. Unë personalisht, ka kohë që mundohem t’i praktikoj sa më shumë ato mundësi dhe shprehi që janë miqësore me mjedisin, siç është reduktimi i përdorimit të qeseve plastike dhe përdorimi i çantave të tekstilit (tote bags) – sidomos nëpër sektorët e pemëve dhe perimeve të marketeve të mëdha, ku pa nevojë të ofrohen qese plastike për secilën pemë e perime veçmas, reduktimi i blerjes së ujit apo lëngjëve në shishe të plastikës – për këtë edhe preferoj që të mbush me ujë apo lëngje shishen time të ripërdorshme nga qelqi apo termosin sa herë që dal, etj. Gjithashtu, edhe transporti të cilin ne zgjedhim me këtë rast ka ndikim, e unë gjithmonë e praktikoj transportin publik kur nuk kam për të bërë blerje të mëdha, apo më mirë edhe ec kur vendi i shoppingut nuk është shumë larg. Padyshim që veprimet e tilla nëse praktikohen kolektivisht, ndikimi pozitiv në mjedis do të ishte mjaft domethënës.”
Për të shpëtuar mjedisin dhe ujërat, në shumë shtete të botës, qeset e plastikës janë bërë me pagesë, gjë që ka ndikuar në rënien e përdorimit të tyre.