Të gjithë ne kujdesemi që të kemi lëkurë të pastër, me qëllim që të mos kemi probleme si aknet, shenjat ose pikat e zeza në lëkurë. Ky kujdes ndaj lëkurës është i domosdoshëm për shëndetin tonë, sidomos gjatë stinës së verës kur shtohen rreziqet që i kanosen lëkurës sonë. Se si duhet të kujdesemi për lëkurën gjatë stinës së verës, për Radio KFOR-in tregon specialiste-dermatovenerologe nga “Hana Dermatolology & Estetic”, Rrezarta Blakaj: “Tharja e lëkurës, acarimi i kapilarëve të gjakut në sipërfaqe të saj, shfaqja dhe theksimi i njollave në fytyrë, por dhe kanceri i lëkurës e plakja e parakohshme, janë disa nga problemet që shfaqen gjatë stinës së verës. Kujdesi ndaj lekurës duhet të jetë i vazhdueshëm, por në stinën e verës në të cilën gjindemi tani, kujdesi duhet të jetë edhe më i shtuar . Mbrojtja e lëkurës duhet të bëhet patjetër me krema kundër diellit, për të pasur një lëkurë sa më të pastër, pa njolla dhe pa kapilarë. Po ashtu rëndësi të madhe ka edhe konsumimi i ujit për të mbajtur lëkurën të hidratuar. Kremrat kundër diellit duhet të përdoren në varësi të tipit të lëkurës. Gjatë kohës së plazhit për fytyrë nevojiten kremra me SPF, të cilët duhet të përdoren çdo 90 minuta, pavarësisht rezistencës së tyre ndaj ujit. Lëkura është më e prirur për t’u djegur në mesditë, për shkak të diellit të fortë, andaj është e rekomandueshme që në këtë kohë mos t’i ekspozohemi diellit.”
Lëkura është pjesë e ndjeshme e trupit, sidomos nëse ekspozohet ndaj temperaturave të larta, prandaj sigurohuni që gjatë stinës së verës t’i falni kujdesin e duhur lëkurës tuaj.