Përmes valëve të Radio KFOR-it, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dha një mesazh për qytetarët e kësaj komune, në lidhje me Koronavirusin: “Si kryetar i Komunës së Klinës, apeli im për qytetarët e Komunës së Klinës është që të jenë të kujdesshëm në lëvizje. Pas vendimit nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Klinës është shpallur zonë karantinë dhe unë kërkoj nga qytetarët që ta respektojnë këtë, në të mirë të gjithë qytetarëve, por edhe për ne që ta menaxhojmë sa më mirë këtë situatë dhe ta tejkalojmë me pasoja më të vogla. Tani kërkoj që edhe vendimet që mirren nga niveli lokal, të shtabit emergjent në këtë rast, por edhe të nivelit qendror, të respektohen. Ne kemi kërkuar që qytetarët e Klinës të kenë qasje në tërë territorin e Komunës së Klinës, por paraprakisht të lëvizin vetëm në ato raste kur është e pashmangshme lëvizja, sepse vetëm kjo disiplinë i ndihmon shumë procesit dhe situatës në mënyrë të suksesshme që të kemi zero raste me Koronavirus. Tashmë po shihet që në Komunën e Klinës është konfirmuar vetëm një pacient me Koronavirus, nuk ka raste të reja dhe ky është një lajm i mirë. Duhet kujdes i veçantë, në kufizim të lëvizjeve dhe të kontakteve, përveç në rastet e pashmangshme të dilet në rrugë, në rastet e kundërta rreziku i marrjes së virusit është më i madh.”