Riad është kryeqytet i Arabisë Saudite, përveç kësaj është edhe qendër kulturore dhe ekonomike e këtij vendi me një popullsi prej 7.6 milion banorësh.
Po sa hyni në këtë qytet ato që bien më shumë në sy janë ndërtesat e larta, rrokaqiej me modele të arkitekturës moderne dhe abstrakte si “The Kingdom Centre”, që është ndërtesa më e lartë në gjithë Arabinë Saudite dhe ndër më të lartat në gjithë botën. Përveç kësaj, ia vlen ta shihni nga afër edhe qendrën Al Faisaliyah dhe kullën Al Hugayet.
Brenda qytetit mund të vizitoni edhe atraksione tjera, të njoftoheni me florën dhe faunën e këtij vendi dhe jo vetëm duke vizituar kopshtin zoologjik “Riyadh Zoo”, që iu mundëson ti shihni nga afër më shumë se 1.500 krijesa të natyrës.
Një ndër hapësirat tjera më të frekuentuara në Riad, mbetet edhe Parku “King Abdullah”, ku përveç shëtitjes në fusha të blerta dhe me lule ju mund edhe të angazhoheni në aktivitete sportive që ofron ky park. Nuk bën ta lini qytetin e Riadit, pa vizituar edhe muzeun “King Abdulaziz”, i cili përndryshe konsiderohet edhe si qendër historike e këtij vendi.
Riad njihet edhe si vend ku religjioni ka rëndësi të madhe, brenda këtij qyteti janë më shumë se 4.000 xhami, por përveç kësaj qyteti ofron edhe shërbimet e universitetit më të vjetër në vend, të njohur ndryshe si “King Saʿud University”.
Diçka që mund ta mësoni sot, që ndoshta nuk e keni ditur, është fakti që emri Riyadh (Riad), ka kuptimin e fjalës “Kopshte”.