‘Global Game Jam’ është ngjarja më e madhe në botë e krijimit të lojërave dhe këtë vit po zhvillohet për herë të dytë nga Girls Coding Kosova dhe komuniteti i Kosovo Game Developers në Kosovë.
Një ngjarje globale që ka për qëllim zhvillimin e ideve në krijimin e lojërave, mirëpo përveç kësaj edhe ndarjen e përvojave në mes të apasionuarve të teknologjisë. Organizatorja e këtij eventi nga Girls Coding Kosova, Alborita Mehana, na tregoi detaje shtesë rreth kësaj ngjarje: “Global Game Jam është një ngjarje që ndodh në 115 shtete në 911 lokacione të botës. Është ngjarje që mbledh programerë, dizajnerë, artistë dhe gamer-a për të zhvilluar/programuar lojë të ndryshme me një temë të caktuar, brenda 48 orëve.”
Të gjithë të interesuarit mbi 18 vjeç duhet të regjistrohen përmes formës së aplikimit në eventin e krijuar në faqet zyrtare të Girls Coding Kosova, në Facebook dhe Instagram. Ngjarja do të mbahet përgjatë datave 31 Janar dhe 2 Shkurt si dhe do të zë vend në ambientet e Kolegjit AAB.