“Nuk ka gjeni të filozofisë pa dialog dhe në botën e globalizuar, dialogu duhet të përfaqësojë fillesa të ndryshme të diturisë dhe kjo ka influencuar njerëzit të mendojnë për historinë, e cila jo gjithmonë është mjaftueshëm e detajuar ose e dokumentuar në tekstet tradicionale”, ky është përkufizimi i drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, në lidhje me ‘Ditën Botërore të Filozofië, e cila shënohet sot (19 nëntor).
Objektivë e Ditës Botërore të Filozofisë është inkurajimi i njerëzve kudo në botë që të shfaqin trashëgiminë e tyre filozofike dhe të hapin mendjet e tyre për ide të reja, duke inspiruar debate publike ndërmjet intelektualëve dhe shoqërisë civile mbi sfidat me të cilat përballet shoqëria jonë.
Filozofi Mirsad Kabashi, në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, tregoi se çfarë konkretisht është shkenca e filozofisë dhe theksoj rëndësinë e shënimit të kësaj dite: “Filozofia është studimi i natyrës së realitetit dhe ekzistencës, i asaj që është e mundur të dihet dhe e sjelljes së drejtë dhe të gabuar. Vjen nga fjala greke phílosophía, që do të thotë ‘dashuria për mençurinë’. Është një nga fushat më të rëndësishme të mendimit njerëzor, pasi aspiron të marrë vetë kuptimin e jetës, prandaj them që shënimi i kësaj dite përmes konferencave e simpoziumeve të shumta, janë të një rëndësie të veçantë.”
Për nder të shënimit të kësaj dite Shoqata e Filozofëve të Kosovës, organizon Konferencën e XI-të shkencore, me temë “Gjendja e Jashtëzakonshme”, në Shkollën “Milenimu i tretë”, në Prishtinë, e cila organizohet nga ora 10:00 deri në ora 15:00.