Në ‘Ditën Botërore të Kafshëve’, që shënohet sot (04.10.2018), ‘Pylli i arinjve Prishtina’, organizon aktivitete ineteresante për fëmijë dhe prindër në këtë pyll. Këto aktivitetet përfshijnë lojra të llojllojshme atraktive për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit që do të jenë të pranishëm sot, përmes së cilave ata do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për rëndësinë e mbrojtjes së kafshëve. Se çfarë konkretisht do të përmbajnë këto aktivitete sot, ne kontaktuam Albana Hotin nga ‘Pylli i arinjve’, e cila për Radio KFOR-in tha:
“Fëmijët që janë të pranishëm sot në pyll, do të bëjnë piktura me arinjtë që do ti takojnë këtu në pyll, do të ketë ngjyrosje ilustrative në fytyrë, muzikë, kuize dhe pastaj do të shetisin nëpër gjithë pyllin, ku do të njoftohen nga afër me punën që bëhet këtu dhe do të informohen rreth mënyrës së jetesës së këtyre arinjve”, theksoi Albana Hoti.
Kujtojmë që misioni i ditës botërore të kafshëve është përmirësimi i standardeve dhe mirëqenies së kafshëve kudo në botë, duke e mobilizuar atë në një forcë globale për ta bërë botën një vend më të sigurt, e të dashur për të gjitha kafshët.