Fondacioni “Bonevet”, po vazhdon realizimin e aktiviteteve të shumta të saj, në dobi të komunitetit, posaçërisht të fëmijëve, përmes garës më të madhe të robotikës në Kosovë, e cila përfshinë fëmijë dhe të rinj nga e gjithë Kosova, të cilët e duan teknologjinë. Se çfarë përmbanë kjo garë dhe cili është qëlllimi i saj, në studio të Radio KFOR-it, me moderatoren Vjosa Spahiu-Gola, ishte asistentja e projektit “Kosova Makers Leage”, Tringa Kasneci:
“Qëllimi i garës është krijimi i një atmosfere pozitive dhe të shëndetshme, ku fëmijtë dhe të rinjtë do të garojnë duke e zgjidhur një “mision të ndërlikuar” me ndihmën e robotit. Ka interesim jashtëzakonisht të madh, deri më tani kanë aplikuar 80 shkolla nga të gjitha vendet e Kosovës, por ne inkurajojmë që në këtë garë të përfshihen fëmijë dhe të rinj nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, pohoi mes tjerash Tringa, e cila poashtu shtoi se synimi i realizimit të kësaj gare është që t’i bëjnë fëmijtë më entuziast për shkencë dhe teknologji dhe gjithashtu t’i inkurajojnë ata të punojnë në grup, duke e zhvilluar të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve në mënyrë kreative.
Tringa poashtu tregoi për përgatitjet që janë duke i bërë, në mënyrë që kjo garë të jetë sa më e kompletuar.
“ Gara është online dhe fizike, për sezonën e dytë në të cilën jemi duke punuar që nga muaji qershor, në mënyrë që të jetë edhe më e kompletuar, edhe në aspektin e menaxhimit, edhe në shtimin e pajisjeve të reja”.
Aplikimi për garën e robotikës “Kosova Makers League” do të jetë e hapur deri më 23 shtator.