Adhuruesit e muzikës kamertale do të kenë mundësi të shijojnë tinguj të muzikës klasike në edicionin e 19-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale ‘Kosova Kamerfest 2018’, që do të filloj me 20 tetor, në Prishtinë.
Koordinatori i këtij festivali Taulant Rruci, për Radio KFOR-in tregoi për pjesëmarrësit dhe befasitë që do të sjell ky festival:
“Do të mbahen 13 mbrëmje koncertale me program të larmishëm kamertal. Këtë vit përpos artistëve si “shtyllë” e festivalit, do të jenë edhe emra eminent të artit shqiptar. Hapesirë të veçantë në festival do të kenë edhe artistët e rinj, laureatet e garave ‘Arskosova 2018’, Ansambli i violinistëve ‘ArsKosova’ dhe ansambli i klarinetistëve të UP-së. Emrat e rinj pjesmarrës në këtë festival do të jenë :Rudens Turku, Pierre L, Raffaele B, Vlorent Xh, Maurizio Baglini, Merita R , Klevis Gj dhe artistë të tjerë. Gjithashtu disa prej artistëve dhe profesorëve do të mbajnë edhe masterklasa për studentët dhe nxenësit e instrumenteve përkatëse”, tregoi Taulanti.
Në këtë festival do të mbahen gjithsej 13 koncerte në dy lokacione të ndryshme në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare dhe në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë, duke filluar nga ora 20:00 dhe do të zgjasë deri me datën 2 Nëntor të këtij viti.