Pandemia globale e shkaktuar nga ‘CoViD-19’, ka bërë që bota ta njohë dhe tashmë të fillojë ti përshtatet ‘normalitetit të ri’. Pas një mbyllje pothuajse totale, tani vendet e ndryshme të botës dalëngadalë kanë filluar t’i kthehen jetës, mirëpo duke ju përshtatur ‘normalitetit të ri’. Ka qenë fillimi i muajit gusht 2020, kur kopshtet e fëmijëve rifilluan punën, e për të kuptuar se si po menaxhohet situata në kopshtet e fëmijëve, Radio KFOR-i kontaktoi me Komunën e Prishtinës, ku Zyrtarja e Lartë e Arsimit në Drejtorinë e Arsimit, Ardiana Ismaili, tha: “Në të gjitha institucionet parashkollore të komunës së Prishtinës, në bazë të vlerësimit në teren, situata është duke u menaxhuar sipas planifikimeve të parapara duke respektuar në përpikëri rekomandimet nga IKSHP, Protokollit për hapjen e kopshteve në Komunën e Prishtinës, Protokollit për masat lehtësuese për rifillimin e punës në institucionet parashkollore MASHT dhe Unicef.”
Ndërsa se cilat kanë qenë përgatitjet e hapjes së kopshteve, zonja Ismaili, është përgjigjur: “Para hapjes së kopshteve, janë bërë përgatitjet e duhura si pastrimi gjeneral dhe dezinfektimi i përgjithshëm (DDD) i tërë objektit, për të gjitha institucionet parashkollore, pajisja me dezinfektues dhe termometra laserik, testimi i stafit për të gjitha institucionet parashkollore (stafi edukativ, administrativ dhe stafi teknik- mbështetës), vendosja e dezinfektuesve në çdo hyrje të objekteve, shenjat sinjalizuese për mbajtjen e distancës, informimi i përgjithshëm për prindërit në mënyra të ndryshme dhe krijimi i Task Forcës, anëtarët e të cilit kanë përgjegjësi të bëjnë monitorimin e zbatimit të protokollit.”
Kujtojmë që krahas kopshteve të fëmijëve edhe nxënësit e shkollave i janë rikthyer mësimit me datën 14.09.20, ku në këtë datë kanë filluar mësimin klasat 0 deri 6 dhe klasa e 10-të, si pjesë e fazës së parë, ndërsa faza e dytë e mësimit do të fillojë më 21 shtator ku përfshihen klasat 7, 8 dhe 9.