Kanë mbetur edhe pak ditë deri në përmbylljen e konkursit për shpërblimin “Rexhai Surroi 2018”, për gazetari të shkruar. “Grupi KOHA” fton gazetarët e mediave të shkruara që të konkurrojnë për këtë shpërblim, i cili ndahet në shenjë respekti dhe kujtimi të gazetarit, shkrimtarit, Rexhai Surroi.
Të gjithë gazetarët e interesuar, që janë të punësuar në të përditshmet kosovare, ftohen që t’i prezantojnë më së shumti dy shkrime të veçanta autoriale apo bashkë autoriale, të botuara në njërën prej të përditshmeve kosovare.
Për garë do të merren parasysh temat hulumtuese, reportazhet komentet, me përjashtim të temave ditore. Tekstet e botuara nëpër portale, i nënshtrohen diskrecionit të Jurisë nëse pranohen në garë apo jo. Shkrimet e botuara prej 1 nëntorit 2017 deri më 31 tetor 2018, duhet të dorëzohen më së voni më 1 nëntor 2018. Për hir të lehtësimit të rrjedhës së vlerësimit të shkrimeve nga ana e jurisë, kandidatëve u sugjerohet që të mos e presin afatin e fundit për paraqitjen e shkrimeve. Fituesi i garës respektive do të shpërblehet me 1000 euro.