Studentët e Departamentit të Muzikës së Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, sonte (10.02.20), duke filluar nga ora 18:00 do të organizojnë një koncert, i cili do të mbahet në Bibliotekën Qendrore Universitare.
Ky koncert është një nga aktivitetet e shumta që po organizohen në kuadër të “Javës së Universitetit”, për shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
Radio KFOR-i ka kontaktuar përgjegjësen për PR në Universitetin e Prishtinës dhe asistenten e Rektorit Marian Dema, Blerta Dibranin, e cila tha: “Për dallim nga përvjetorët paraprakë, këtë vit e kemi organizuar një javë të tërë me aktivitete për 50 vjetorin e UP-së, ku pjesa më e madhe e tyre u kushtohen studentëve dhe janë aktivitete që organizohen nga studentët. I tillë është edhe ky koncert, i cili do të përcillet me performancë unike të studentëve dhe stafit tanë. Ky koncert është i hapur për të gjithë ata që duan t’i njohin vlerat e studentëve tanë. Deri më tani, kemi pasur interesim shumë të madh për pjesëmarrje në këtë koncert, natyrisht përveç njerëzve që dëshirojnë t’i shijojnë performancat e studentëve tanë, ne i kemi ftuar edhe partnerët e universitetit edhe stafin e UP-së”.
Tutje. Znj. Dibrani ka bërë të ditur se në kuadër të “Javës së Universitetit”, do të organizohen 13 aktivitete, të cilat do të jenë të hapura për publikun dhe të cilat do të përmbyllen me manifestimin qendror që do të mbahet më 15 shkurt.