Çdo vit, Kombet e Bashkuara ftojnë të gjithë njerëzit dhe kombet anembanë botës, të dëgjojnë dhe t’i përgjigjen thirrjes për të krijuar një botë paqësore për të gjithë.
Pikërisht sot (21.09.20), në ‘Ditën Ndërkombëtare të Paqes’, edhe Radio KFOR-i për ta shënuar këtë ditë, realizoi intervista me personalitete të komunitetit shqiptar dhe serb, znj. Ganimete Pashoja Myftiu dhe znj. Mirjana Trajković, të cilat nga perspektiva e tyre, paqen e përkufizojnë njëjtë: “Paqja është harmoni absolute. Është aspirata më e lartë universale e shpirtit. Pa drejtësi absolute s’ka paqe të qëndrueshme. Lus popujt e tërë botës të përgjërohen për paqe. Vetëm atëherë mund të fillojë progresi i vërtetë i njerëzimit, e padyshim edhe i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë ”, nënvizoi znj. Pashoja-Myftiu.
Ndërsa znj. nga komuniteti serb, Mirjana Trajković, ka një këndvështrim të ngjashëm për sa i përket paqes dhe simbolikës së saj: “Të gjithë kemi nevojë për paqe. Unë dua që fëmijët e mi të rriten dhe të jetojnë në paqe, por gjithashtu dua të njëjtën gjë për të gjithë fëmijët e tjerë në këtë botë. Në paqe, ata kanë mundësinë të zhvillohen, mësojnë dhe rriten siç duhet dhe përvojën e tyre paqësore ta kalojnë te pasardhësit e tyre. Për ne prindërit, është vërtet një shpërblim i madh”.
Të gjithë ne duhet të besojmë se paqja është e vetmja rrugë dhe të vazhdojmë përpjekjen të punojmë për paqen dhe të gjitha format e saj. Asnjë përpjekje nuk është shumë e vogël, për të bërë një ndryshim për të jetuar në paqe.