Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se janë duke planifikuar ndërtimin e katër shkollave të reja në kryeqytet.
Tanimë kanë filluar procedurat e tenderimit për tri shkolla, në lagjet: Mat, Sofali dhe Veternik, ndërsa është duke u pritur vlerësimi mjedisor edhe për shkollën e katërt në lagjen ‘Arbëria’. Kryetari Ahmeti, ka bërë të ditur gjithashtu se ndërtimi i këtyre shkollave po bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe për herë të parë në Kosovë, me metodën ‘PFI (Private Finance Intiative)’ dhe se shkollat janë dizajnuar nga një kompani italiano-kolumbiane, e cila është përzgjedhur nga Banka Botërore.
“Këto do të jenë ndër shkollat më modern në Kosovë. Faza e parë e tenderimit është para kualifikimit, ku pastaj kompanitë që i kalojnë kushtet do të ftohen për të ofertuar”, bën të ditur, Z. Ahmeti.
Tutje, kryetari i Komunës përmes një postimi në Facebook, shkruan se me ndërtimin e këtyre objekteve shkollore, do të kompletohet rrjeti primar i shkollave.