Muaji dhjetor, kryeqytetin e Kosovës e gjeti të dekoruar. Pamja mahnitëse e shesheve të Prishtinës, po na i ngrohë zemrat edhe këtë vit me dekorimet që paralajmërojnë pragun e festave të fundvitit. Veç dekorimeve, organizimi ‘Verë n’Dimër’ është bërë organizim tradicional i komunës. Janë gjithsej 26 biznese, që kanë plotësuar kushtet dhe janë fituese të këmbë-shtëpizave, të cilat do të jenë stacion i shumë qytetarëve për t’u shërbyer me një kafe, çaj apo ndonjë pije tjetër të ngrohtë. ‘Verë n’Dimër’ do të zgjasë deri më 31 dhjetor dhe vjen në kuadër të organizimit “Prite n’Shesh”, që ka filluar nga data 10 dhjetor. “Prite n’Shesh” zakonisht sjell shumë aktivitete artistike dhe kulmon me koncertin live të ndërrimit të motmotit, mirëpo edhe sivjet, aktivitetet do t’i përshtaten situatës së pandemisë së krijuar nga virusi CoViD-19.