Komuna e Prishtinës edhe përgjatë muajit nëntor, do të ofrojë shërbime falas për mamografi, nismë kjo që nga muaji tetor me rastin e shënimit të “Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit”.
Kështu ka treguar për Radio KFOR-in, Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi: “Që nga muaji tetor, Komuna e Prishtinës, përkatësisht Qendra e Mjekësisë Familjare në njësinë e Radiologjisë në muajin e ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, ka organizuar mamografi falas për të gjitha gratë e komunës së Prishtinës, respektivisht për ato mbi moshën 40 vjeçare. Duke e parë numrin e kërkesave të mëdha nga gratë e kryeqytetit, Komuna e Prishtinës ka vazhduar me një muaj shtesë, pra edhe muajin nëntor, ku ju bëjmë ftesë të gjitha grave mbi moshën 40 vjeçare, që të vizitojnë njësinë e Radiologjisë , të kontaktojnë mjekun, të konsultohen me mjekun dhe të realizojnë mamografi falas në QKMF, sepse zbulimi i hershëm i kancerit, shpëton jetë.”
Komuna ka ftuar për kontroll rutinë falas, të gjitha gratë e Prishtinës, ku thuhet: “Eja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare” (QKMF) për kontrolla rutinore dhe informim sa më të mirë për sëmundjen e kancerit të gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të saj”.