Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, po vazhdon me fushatën nacionale ‘Komuna ime, e drejta ime sociale’, të cilën e ka nisur më 12 tetor, 2020.
Specialistja për monitorim dhe hulumtim në KOMF, Bukurezë Surdulli, për Radio KFOR-in tha se kjo fushatë ka për qëllim vetëdijesimin e mëtejshëm dhe mobilizimin e vendimmarrësve për ndërhyrje emergjente në sigurimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë dhe shtoi: “Kjo fushatë ka ardhur pas publikimit të Raportit të Monitorimit, ku KOMF ka pasqyruar gjendjen tejet të rënduar të shërbimeve sociale në vend. Në mungesë të financimit të qëndrueshëm, shumë shërbime sociale janë mbyllur tashmë apo janë në prag të mbylljes. Për pasojë shumë fëmijë dhe qytetarë të cenueshëm po mbesin pa shërbimet e domosdoshme për zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Përmes kësaj fushate, KOMF synon të përçojë rekomandimet e raportit të monitorimit drejt vendimmarrësve dhe institucioneve me qëllim vendosjen prioritet dhe investimin në zhvillimin e shërbimeve sociale. KOMF konsideron se përballja me pandeminë ‘Covid–19’, vërteton edhe më shumë nevojën për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë për shërbime sociale”.
Në kuadër të kësaj fushatë, KOMF ka vendosur në sheshet e Prishtinës një simbol që paraqet përgjegjësinë dhe detyrimin institucional për sigurim të mirëqenies sociale për të gjithë. Po ashtu, është bërë e ditur se me qëllim të përmirësimit të shërbimeve sociale, KOMF është duke mbështetur hartimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale.