Të dashur nxënës,
Çdo vit, fillimi i vitit të ri shkollor është një ngjarje e papërsëritshme, sepse rëndësia e tij për ju dhe të tjerët është e mbushur me kuptime dhe mundësi të reja.
Shkolla është një nga vendet bazë të evolucionit tuaj, është vendi ku ju takoheni me të tjerët, e tejkaloni individualitetin tuaj duke mësuar mësimet e komunikimit dhe hapjen ndaj të tjerëve.
Shkolla nuk ka të bëjë vetëm me diturinë, shkencën, apo kulturën, por ajo na mëson edhe për moralin, spiritualitetin dhe dashurinë. Shkolla është një nga institucionet më të rëndësishme të shoqërisë në të cilën jetoni; është vendi ku përmes arsimimit ju do të zhvilloni personalitetin tuaj.
Arsimimi juaj është prioritet për shkak të përfitimeve që ju jep; ai është thelbësor si për ju, ashtu edhe për shoqërinë, pjesë e së cilës jeni ju.
Arsimimi është çelësi i suksesit tuaj sepse ofron mundësi për të mësuar gjatë gjithë jetës dhe është gjithashtu çelësi për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë kosovare.
Arsimimi është baza e një shoqërie të zhvilluar. Nëse themeli i një shtëpie nuk është i mirë dhe i fortë, ajo nuk do të qëndrojë dhe dikur do të shembet.
Një shoqëri që nuk ka arsimim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm, do të dështojë. Njerëzit që kanë fituar njohuri teorike dhe praktike së bashku me vlera morale dhe kulturore përmes arsimimit mund të gjejnë një zgjidhje për pothuajse çdo problem në të cilin hasin dhe do të kontribuojnë që të gjithë të kenë një të ardhme më të mirë.
Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim përmes ju të rinjve. Ju jeni e ardhmja e saj dhe e keni aftësinë për t’i kthyer ëndrrat tuaja në realitetet e së nesërmes.
Unë ju bëj thirrje që të besoni në rëndësinë e arsimimit, të keni besim në vetveten, në rrugën tuaj dhe t’i qëndroni asaj besnik, të mos kërkoni vetëm nota të mira, por të kërkoni të përthithni dhe të kuptoni se çfarë keni nevojë për të përparuar.
Unë dua t’ju uroj juve, nxënësve që po e filloni shkollën, shëndet, entuziazëm, kureshtje dhe forcë që të arrini sukses. Ajo që po mësoni tani do të jetë e dobishme në karrierën që do të zgjidhni në të ardhmen, por do të përcaktoj edhe të ardhmen e Kosovës.
Ju jeni e ardhmja dhe e ardhmja ju takon juve!