Për tu njohur nga afër me gjendjen aktuale në spitalet e Kosovës në periudhë pandemie, sot (22.09.20), Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) e vizituan Komandanti i Forcës së Kosovës udhëhequr nga NATO, Gjeneral Majori, Michele Risi, ambasadori i Republikës së Italisë në Kosovë, Nicola Orlando dhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Me këtë rast, Komandanti i KFOR-it, Risi, u shprehë se përgjatë këtyre viteve ata janë përballur më shumë sfida: “KFOR-i ka qenë këtu për 21 vjet, për tu përballur me të gjitha sfidat së bashku dhe shumë prej tyre kanë tejkaluar përgjegjësitë tona si KFOR. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga vendet anëtare dhe kërkesës sonë i janë përgjigjur Italia dhe sigurisht edhe shtetet tjera anëtare”, ka nënvizuar komandanti Risi. Ndërkaq, Ambasadori Orlando, vuri në theks arritjen e një ekipi të mjekëve italian javë më parë në Kosovë, që tregon bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve: “Prezenca e mjekëve është një shembull i raporteve mes dy vendeve. Ekipi mjekësor nga të gjitha njësitet që ka ardhur para disa muajve, do të qëndroj edhe disa ditë dhe për neve është me rëndësi që te punojmë më të gjithë”.
Në këtë vizitë, Kryeministri, Hoti ka thënë se është lajm i mirë që shifrat e personave të prekur me ‘CoViD-19’ janë në rënie, duke i përgëzuar mjekët, infermierët dhe drejtorët e klinikave, për punën e tyre të mrekullueshme.