‘Klubi Soroptimist Prishtina’ që nga themelimi i saj, në vazhdimësi ka ndihmuar shoqërinë në Kosovë, çështje të ndryshme me karakter humanitar, me fokus të veçantë në gra dhe fëmijë. Gjatë vitit ky klub ka organizuar aktivitete të shumta për të ndihmuar kategori të ndryshme të shoqërisë.
Në një intervistë për Radio KFOR-in, kryetarja e kësaj organizate, Mentore Berisha, tregoi për punën dhe aktivitetet që klubi të cilin ajo drejton ka ndërmarrë bashkë me anëtaret dhe partnerët e tyre:
“Këtë vit kemi ndarë disa projekte sot (20.12.2018) do ndihmojmë shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, pasi që kemi vërejtur se ata kanë mungesë të paisjeve të shumta, kemi vendosur që të dhurojmë 20 tavolina. Po ashtu do të vazhdojmë me një projekt tjetër i cili ka të bëjë me fëmijët, familjet e të cilëve jetojnë me ndihmë sociale, ku do të argëtojmë këta fëmijë me disa aktivitete festive, po ashtu projekti tjetër ka të bëjë me fëmijë që gjenden në një strehimore dhe të cilët kanë qenë viktima të trafikimit dhe keqtrajtimit ku do të dërgojmë disa dhurata për t’i zbukurar ditët e festave”, tregoi Berisha.
Kryetarja Berisha për fund tha se kjo organizatë mbahet nga pagesa të anëtarsisë së anëtareve dhe nga disa organizata mike, që dhurojnë donacione simbolike. Prandaj, ajo për festat e fundvitit ftoi të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të ju bashkohen për ndihmë duke kontaktuar në faqen e tyre zyrtare në ‘Facebook’, ‘Soroptimist International Club Prishtina’.