Nga viti 2002, data 28 tetor i është ndarë Ditës Ndërkombëtare të Animacionit nga ASIFA që është Shoqata Ndërkombëtare e Filmit të Animuar.
Drejtori i Anibar, Vullnet Sanaja pë Radio KFOR-in tregon se si kjo ditë vjen si kujtim i hapave të parë të animacionit dhe tregon rëndësinë e saj:
“Ky lloj animcioni që ne e shfaqim si festival po edhe në kinema kryesisht gjatë vitit është animacion artisitik i cili mund të shihet edhe nga të rriturit, nuk është çka jemi mësuar me pa si filmi i vizatuar i cili është zakonisht për fëmijë, por animacioni trajton tema të ndryshme edhe njëkohësisht është me i përshtatshëm për të rritur. Filmat animaur të cilët sot krijohen, po mendoj ka edhe për fëmijë që janë më shumë si ‘Cartoons’, por filmat e animuar që shfaqen në festival zakonisht janë filma që kanë vlera artistike.”
Animacioni këto ditë është diçka shumë më komplekse se ajo që jemi mësuar ta shohim dikur si fëmijë. Animacioni sot, trajton tema të ndryshme, është formë e artit, tha Sanaja dhe shtoi:
“Më 28 tetor është ‘Dita Ndërkombëtare e Animacionit’, këtë ditë do ta festojmë edhe në qytetin e Pejës, në Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, andaj ftojmë të gjithë që janë të interesuar që të vijnë në këtë ditë me fillim nga ora tetë, për të parë filma nga festivali i filmit të animuar ‘Anibar’ dhe filma të përzgjedhur të cilët e shënojnë këtë ditë. Gjithashtu kemi vendosur që gjatë kësaj ditë, të kemi edhe aktivitete për fëmijë, me fillim nga ora 12, ku ata do të mësojnë vetë se si të krijojnë filma të animuar dhe do të kenë mundësi të shohin disa filma të animuar.”