Në kujtim të aktores së famshme franceze Anna Karina, me 14 janar duke filluar nga ora 19:00, në Kinema ‘Jusuf Gërvalla’, në Pejë do të shfaqen dy nga filmat më të famshëm të aktores: ‘Pierrot Le Fou’ dhe ‘Présentation ou Charlotte et Son Steak’.
Menaxher i projekteve ne festivalin ‘Anibar’ dhe projekteve në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’, Valton Marku, për Radio KFOR-in tregoi më shumë për këtë aktivitet në kujtim të aktores franceze:
“Në shenjë kujtimi për aktoren e famshme Anna Karina e cila ndërroi jetë vitin e kaluar, kemi vendosur të shfaqim dy filma. Kinematografia franceze nuk mund të anashkalohet pa u ndalur tek aktorja Anna Karina, pasi që ishte ikonë dhe simbol jo vetëm e kinematografisë franceze, mirëpo edhe e gjithë kinematografisë botërore. Kjo javë e shfaqjes së filmave francez është mundësuar me ndihmën e ambasadës franceze në Prishtinë dhe ‘Festivalit Frankofon’.
Z. Valtoni më tej tregoi se kjo kinema do të vazhdojë me aktivitete të shumta që do të përfshijnë filma të zhanreve dhe metrazheve të ndryshme.