Falë profesionalizmit dhe posedimit të mjeteve adekuate, ekipi i CBRN (Chemical Biological Radiological Nuclear – Bërthamor Radiologjik Biologjik dhe Kimik) që funksionon në kuadër të KFOR-it në Kosovë, është duke ndihmuar Inspektoratin e Mbrojtës së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që substancat kimike me afat të skaduar, që janë të vendosura në vende të ndryshme të Kosovës, të ambalazhohen dhe të sistemohen në një vend më të sigurtë.
Inspektori i Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ismet Dervari, vlerëson lartë mbështetjen e ekipit të KFOR-it për të akomoduar substancat e dëmshme kimike në vende më të sigurta:
”Ne e çmojmë shumë bashkëpunimin me KFOR-in, të cilët na kanë ofruar ndihmë të madhe profesionale, mirëpo edhe me resurse njerëzore. Këtu ku jemi sot, është ish-fabrika “Emin Duraku” që ka qenë fabrikë e tekstilit dhe këto mbetje janë përdorë për procese të ndryshme teknologjike, të cilave me kalimin e kohës iu ka skaduar afati dhe janë bërë të papërdorshme dhe janë shndërruar në mbetje që po paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin”, tha Ismet Dervari.
KFOR-i po punon vazhdimisht së bashku me institucionet në Kosovë për të zvogëluar dhe për të gjetur zgjidhjet më të mira për të gjitha këto vende toksike, duke zbatuar masat e duhura për të reduktuar rreziqet dhe për të mbrojtur shëndetin dhe mjedisin për njerëzit në Kosovë.
“Nëse këto kimikale ruhen në vende të përshtatshme, ato nuk paraqesin ndonjë rrezik për mjedisin dhe shëndetin”, i tha Radio KFOR-it edhe njëri nga oficerët e ekipit Bërthamor Radiologjik Biologjik dhe Kimik të KFOR-it, Lieutenant Colonel, Helder Soares.
Përveç vizitave në ish-fabrikën “Emin Duraku” në Gjakovë, oficerët e ekipit Bërthamor Radiologjik Biologjik dhe Kimik të KFOR-it, bëjnë vizita të rregullta edhe në vendet e tjera të Kosovë, kudo që ka magazina me substanca kimike, të cilave u ka skaduar afati.