Përkundër sfidës me virusin COVID-19, KFOR-i po vazhdon të jetë pranë qytetarëve dhe Institucioneve të Kosovës, duke u dhuruar produkte dhe pajisje të ndryshme për të minimizuar rreziqet nga ky virus. Së fundmi, karabinierët italianë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it, dhuruan 22 gjeneratorë të ozonit në Policinë e Kosovës për dezinfektimin e zyrave dhe automjeteve nga viruset, bakteret dhe patogjenët e tjerë.
Komandanti i Regjimentit të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe brenda KFOR-it, Kolonel Enio Simon dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, morën pjesë në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve në Selinë e Policisë së Kosovës në Prishtinë. Rreth 3,500 trupa nga 26 vende kryejnë rregullisht operacionet e tyre me masa të forta parandaluese për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të parandaluar rreziqet për viktimat e tyre dhe komunitetet ku ata shërbejnë, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së. Ministria Italiane e Mbrojtjes ka financuar pajisje që do të lehtësojnë përpjekjet aktuale të institucioneve në Kosovë, në luftën kundër pandemisë Covid-19, me ç’rast, në muajt e fundit, me kërkesë të institucioneve të Kosovës, ushtria italiane siguroi një ekip të përbërë nga nëntë ushtarë nga Regjimenti i Shtatë i Mbrojtjes Kimike-Atomike-Biologjike-Kimike “Cremona”, i cili dezinfektoi më shumë se 50 ndërtesa publike, në 34 komuna të ndryshme të Kosovës.
Që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19, aleatët e NATO-s dhe vendet partnere kanë mbështetur përpjekjet e institucioneve të Kosovës në luftën kundër pandemisë, përmes dhurimeve të pajisjeve personale mbrojtëse si dhe mbështetjes teknike.