Të premten (08.10.2021) KFOR-i ka dhuruar donacion pajisje teknike në vlerë prej 6 mijë eurosh Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.
Këto pajisje do të mundësojnë transmetimin e ngjarjeve të ndryshme e njëkohësisht për studentët do të jetë më e lehtë edhe qasja në tregun e punës pas studimeve.
Donacioni është pranuar nga profesoresha e këtij departamenti, Remzie Shahini-Hoxhaj e cila ishte mirënjohëse për përkrahjen e KFOR-it ndaj Universitetit të Prishtinës.
Departamenti I Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës ka falenderuar KFOR-in përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook: “Departamenti i Gazetarisë ka pranuar nga KFOR-i, gjatë ditës së premte një donacion të pajisjeve të cilat kanë ngritur kapacitetin teknik të MediaLab-it dhe kanë krijuar për studentët tanë mundësi të reja praktike me teknologjinë më të fundit. Profesorët e Departamentit e kanë falënderuar KFOR-in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Departamentit të Gazetarisë”.
Me këtë donacion, KFOR-i edhe njëherë dëshmoi se u del gjithmonë në ndihmë të gjithë njerëzve në Kosovë.