KFOR-i në Kosovë vazhdon me përkrahjen e qytetarëve në mënyra të ndryshme. Të hënën (1 mars), CIMIC-u (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak i KFOR-it), në bashkëpunim me LMT-në që vepron në Shtime, dhuruan një donacion, pajisje mbrojtëse ndaj Covid-19, me qëllim të ndihmës për personelin mjekësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në Shtime.
Pas pranimit të këtij donacioni të dhuruar nga KFOR-i, shefi i Mjekësisë Familjare në këtë qendër, Dr. Agim Zejna, ishte shumë mirënjohës dhe me këtë rast tha: “E falënderoj KFOR-in shumë për këtë donacion, i cili përfshinë tesha mbrojtëse, anti-septik, termometra digjital, maska të ndryshme dhe gjëra të cilat shërbejnë drejtpërdrejt në luftimin e covid-19. Ne po mundohemi ta menaxhojmë sa më mirë këtë situatë, e kjo ndihmë është shumë e mirëseardhur. Tashmë pandemia nuk është problem veç i shëndetësisë, por është i gjithë shoqërisë, kështu që shpresoj që së bashku do t’ia dalim dhe ta tejkalojmë këtë gjendje e cila e ka rënduar jetën në përgjithësi.”
Në emër të KFOR-it për dhurimin e donacionit foli edhe SFC, Knutson Nicholas, i cili vepron në Komandën Regjionale – Perëndim: “Jam shumë i lumtur që jam sot këtu në Shtime së bashku me pjesëtaret e LMT-së turke, që veprojnë në kuadër të KFOR-it. Unë mendoj se ky donacion që dhuruam, do të ndihmojë shumë duke pasur parasysh që këto gjëra janë të nevojshme dhe do të ndihmojnë në “luftën” kundër covid-19.”
Me dhurimin e donacionit të lartpërmendur, dëshmohet përkushtimi i KFOR-it për t’i ndihmuar dhe përkrahur institucionet e ndryshme në Kosovë.