Kompjuterë, projektorë, laptopë dhe gjeneratorë, ishte ky donacioni i radhës nga KFOR-i, përkatësisht nga njësia e CIMIC-ut (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak i KFOR-it), për shkollën fillore shumetnike “Vesel Muja” dhe “Sveti Sava”, sot (22.03.21), në fshatin Ponesh.
Milovan Stajic, drejtor i shkollës fillore ‘Sveti Sava’, për Radio KFOR-in tha se ky donacion që e kanë pranuar, nuk është donacioni i parë nga KFOR-i, por është një nga më të mëdhenjtë: “Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, afatgjatë me KFOR-in. Në këto momente, kur orët mësimore kryesisht po mbahen në internet, vlera e donacionit është bërë edhe më e rëndësishme. Pajisjet që morëm do të përdoren nga studentë serbë dhe shqiptarë që ndjekin shkollën në dy ndërrime.”
I pranishëm në dhurimin e këtij donacioni ishte edhe drejtori i shkollës “Vesel Muja”, Ajvaz Beqiri, i cili tha se ky projekt filloi një vit më parë, midis dy shkollave dhe u realizua në bashkëpunim me pjesëtarët e KFOR-it turk dhe gjithashtu shtoi: “Kjo kërkesë për finalizimin e kabinetit të teknologjisë ka filluar në mënyrë që të përdoret në mënyrë të barabartë, nga të dy etnitë. Është e krijuar për studentët e përkatësisë etnike serbe dhe shqiptare. Ne jemi mirënjohës për këtë kontribut dhe e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm për shkollën tonë.”
Oficeri i CIMIC-ut, Majori Pennie Lorente, shpjegoi domethënien e këtij donacioni: “Është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë shkollë multi-etnike, ku nxënësit serb vijojnë mësimin në mëngjes, ndërsa pasdite nxënësit shqiptarë. Të dy drejtorët janë të pranishëm këtu, për të na falënderuar për donacionin i cili përbëhet nga shumë kompjuterë, projektorë dhe Smartboard, ku fëmijët mund të fillojnë të shoqërohen me njëri-tjetrin, përmes këtyre mjeteve teknike, që tani janë në dispozicion të tyre.”
Ky donacion i vlefshëm nga KFOR-i, do të lehtësojë arsimimin e 25 nxënësve nga komuniteti serb dhe 33 nxënësve nga komuniteti shqiptar, veçanërisht tani kur shumica e orëve të mësimit po zhvillohen online, në internet.