Në prani të ambasadorit italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, komandantit të misionit në Kosovë, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario, si dhe autoriteteve civile dhe ushtarake, u mbajt dje (10 tetor) ceremonia për dhurimin e urës “Bailey” nga Italia për komunën e Deçanit.
Me këtë rast, Ambasadori italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, të pranishmëve iu drejtua me këto fjalë:
“Ky nuk është donacioni i parë që Italia ofron për popullin kosovar, as në aspektin kronologjik e aq më pak si vlerë ekonomike, por është me rëndësi absolute për domethënien simbolike që ka kjo urë, e cila është fryt i angazhimit mendor dhe i punës njerëzore, që synon tejkalimin e një pengese fizike që ndan dy brigje”.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario, pohoi se dhënia e kësaj ure për komunën e Deçanit, përfaqëson një hap tjetër përpara në konsolidimin e marrëdhënieve midis KFOR-it dhe popullatës lokale që jeton në këtë zonë.
“Ndër vite, këtu kanë ardhur mijëra ushtarë të NATO-s, kështu që ju jeni në zemrat e njerëzve nga e gjithë bota që kanë kontribuar në KFOR. Dua t’ju siguroj që ne do të vazhdojmë së kontribuari me të gjitha kapacitetet që i kemi në dispozicion”.
Mirënjohës ndaj forcave italiane të KFOR-it, që ndërtuan këtë urë para 4 vitesh, e që ia dhuruan Deçanit tani, është i pari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili nënvizoi:
“Sot ka qenë një ngjarje pozitive për ne, meqenëse prej sot, ne jemi pronarë të kësaj ure, të cilën do të mundohemi ta mirëmbajmë dhe mbikëqyrim sa më mirë. Kjo urë do të ndikojë në krijimin e një harmonie dhe bashkëjetese në mes të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, pavarësisht cilës etni apo përkatësi fetare i takojnë ”.
Që nga viti 2015, ura e ndërtuar nga njësitë italiane, shfrytëzohet për kryerjen e veprimtarive ushtarake nga ana e kontingjenteve, si dhe është në dispozicion të popullatës vendore, e cila e pagëzoi me emrin “ura e italianëve”.