KFOR-i në Kosovë ka vazhduar përkrahjen e qytetarëve në mënyra të ndryshme edhe në kohë pandemie. Sot,15 korrik, CIMIC-u (Bashkëpunimi Ushtarak Civil) i KFOR-it ka dhuruar një donacion për të përkrahur klubin basketbollistik të femrave dhe meshkujve ‘Trepça’ në Mitrovicë, duke dhuruar pajisje sportive.
Gjatë këtij donacioni i pranishëm ishte asistenti i Shefit të Stafit, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, kolonel-lejtnant, Jonny Borjesson i cili tregoi më shumë për këtë projekt që do të përkrah sportistët e rinj:
‘Me anë të këtij projekti ne po përkrahim këtë ekip basketbolli me pajisje të ndryshme që përfshijnë topa dhe veshje që do të përdoren gjatë trajnimeve dhe garave të lojtarëve. Klubi do t’i përdor këto donacione për të arritur më shumë suksese gjatë stërvitjeve të tyre. Mesazhi im për të gjithë të rinjtë në Kosovë, është që të qëndrojnë të bashkuar, të jenë të sjellshëm me njëri- tjetrin dhe të kenë sa më shumë aktivitete së bashku, sepse në këtë mënyrë zhvillohet rinia në përgjithësi. CIMIC ka shumë projekte të reja që do të ndihmojë të rinjtë në shumë fusha’.
Ndërkaq, edhe drejtori për kulturë rini dhe sport në Komunën e Mitrovicës, Tafil Peci shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për këtë donacion:
“E falënderoj KFOR-in shumë për këtë donacion, ne kemi raporte shumë të mira me KFOR-in dhe ky nuk është donacioni i parë që kemi pranuar nga ta. Ky donacion është i mirëseardhur për klubin, sidomos në këtë kohë pandemie që po kalojnë edhe klubet sportive. Ftoj të gjithë të rinjtë të mos i ndalin aktivitetet sportive, por gjithmonë duke respektuar masat për parandalimin e virusit ‘COVID-19’.
Kapitenia e klubit basketbollistik të femrave ‘Trepça’, Lorena Haxha tha se me pajisjet e dhuruara do të kenë shumë më të lehtë stërvitjen:
“Ky donacion ka qenë i mirëseardhur për ne, duke pasur parasysh kohën në të cilën gjendemi dhe këto pajisje do të na ndihmojnë të bëjmë stërvitje më të lehta. E falënderoj KFOR-in shumë për këtë donacion në këtë kohë pandemie që do të na ndihmoj në udhëheqjen e stërvitjeve”.
Përmes këtij donacioni, edhe një herë, tregohet se KFOR-i është këtu për t’i mbështetur të gjithë banorët e Kosovës.