Edicioni jubilar i 20 -të me radhë i ‘DokuFest’-it, do të filloj këtë të premte, me datën 6 gusht dhe do të zgjasë deri më 14 gusht, në qytetin e bukur të Prizrenit. Të mbledhura nga një numër rekord prej mbi 3.000 aplikimesh, ‘DokuFest’ do të shfaqë një përzgjedhje të 106 filmave nga 60 vende të botës. Por, se cilat do të jenë risitë e sivjetme për dallim nga vitet e kaluara, producentja e festivalit, Alba Çakalli, për Radio KFOR-in theksoi: “Gjatë këtij edicioni do të ketë kinema të hapura dhe kinema të mbyllura. Këtë vit nuk ka ‘Doku-night’, mirëpo ka performanca muzikore që janë të hapura për të gjitha moshat dhe audiencat që do të jepen gjatë dy vikendeve, d.m.th. janë pesë performanca muzikore. Pastaj, ka panele, ekspozita e shumëçka tjetër.”
Artdashësit dhe të interesuarit, filmat e shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, mund t’i ndjekin edhe online, por për t’u njoftuar më hollësisht për kohën dhe mundësitë e ofruara, ju mund të klikoni në faqen zyrtare të DokuFest: https://dokufest.com.