Dielli është burim i jetës dhe energjisë së të gjitha gjallesave në Tokë, mirëpo në aspektin mjekësor, ekspozimi ynë vetëm 15 minuta në rrezet e Diellit, mund të dëmtoj lëkurën tonë. Ekspozimi i përditshëm në Diell gjatë viteve, vendos lëkurën tuaj në rrezik duke na lënë shenja të plakjes së parakohshme siç janë rrudhat e vogla, lëkurë e vrazhdë dhe njolla ngjyrë kafe në lëkurë. Para se të dilni jashtë për të shijuar motin e ngrohtë dhe rrezet e Diellit, ja çfarë duhet të dini për sigurinë dhe mbrojtjen e lëkurës tuaj:
- Përdorni krem mbrojtës çdo ditë gjatë verës edhe nëse është ditë me re dhe vranësira.
- Kremi mbrojtës ndaj rrezeve të Diellit, kryesisht tretet shpejtë, kështu që vendoseni përsëri, nëse qëndroni më shumë se dy orë në rreze Dielli por vendoseni edhe pasi që keni notuar, djersitur ose jeni pastruar.
- Shmangni rrezet e forta të Diellit. Mundohuni të mos planifikoni aktivitete në mes të ditës, kryesisht evitoni daljet midis orës 11:00 dhe 16:00.
- Mos i ekspozoni në Diell fëmijët nën moshën trevjeçare, me që djegiet nga Dielli janë shumë më të rrezikshme, posaçërisht për fëmijët e këtyre grup moshave.
- Mundohuni të gjeni pak hije, meqë ju mund të zvogëloni rrezikun e dëmtimit të lëkurës dhe kancerit të lëkurës, duke qëndruar nën hije të një ombrelle, peme ose një strehe tjetër. Edhe kur jeni nën hije, sigurohuni që të mbroni lëkurën tuaj dhe përdorni preparatet për mbrojtje nga Dielli ose vishni rroba mbrojtëse.
- Për sa më shumë mbrojtje, vendosni edhe një kapelë. Ajo do t’ju bëjë hije në kokë, rreth fytyrës, veshëve dhe në pjesën e pasme të qafës.
- Syzet e Diellit janë gjithashtu të rëndësishme, meqë zvogëlojnë rrezikun e kataraktit dhe ju mbrojnë nga rrezet e Diellit. Ato gjithashtu do t’ju mbrojnë lëkurën e butë që e keni rreth syve, ndaj ekspozimit në Diell.