Shpeshherë kemi dëgjuar se nuk është ide e mirë që të hamë ushqime të rënda dhe me shumë kalori para gjumit e kjo pasi një gjë e tillë përveç që ndikon që të shtojmë në peshë, mund të ndikojë edhe në gjumë jo të rehatshëm. Trajnerja e fitness-it, Farije Huskovci, për Radio KFOR-in tregoi se cilat ushqime mund t’i konsumojmë në mbrëmje dhe sërish të jemi të shëndetshëm dhe të bëjmë gjumë të rehatshëm: “Sa i përket konsumimit të ushqimit, në mbrëmje duhet të konsumojmë kryesisht fibra, siç janë bademi, arrat, lajthitë apo edhe perimet. Këto janë më esencialet. Ndërsa, në orët e vona nuk duhet konsumuar karbohidrate, siç janë brumërat, sheqernat, pijet alkoolike dhe të gazuara. Zakonisht para gjumit duhet të jemi dy deri në tri orë pa ushqim në mënyrë që metabolizmi të jetë në qetësi gjatë gjumit.”
Gjithsesi, nëse dëshironi të konsumoni ushqim para gjumit, atëherë përkujdesuni që të qëndroni të shtrirë drejt, ose gjysmë të shtrirë, për rreth 15 minuta, në mënyrë që procesi i tretjes të përfundojë plotësisht.