Që nga vitit 2009, data 8 qershor i është rezervuar shënimit të “Ditës Botërore të Oqeaneve”. Kjo ditë është një rast i mirë për tu kujdesur për oqeanet, për të kremtuar produktet që ofrojnë oqeanet dhe për ta çmuar vlerën e brendshme të oqeaneve. Oqeani ofron rrugët detare botërore të rëndësishme për tregtinë botërore. Ndotja e ujërave dhe shfrytëzimi i tepërt i peshqve, ka rezultuar në rënien drastike të numrit të specieve në oqean.
Në shënimin e “Ditës Botërore të Oqeaneve” për vitin 2020, është ngritur edhe lëvizja globale për t’i bërë thirrje liderëve botëror për mbrojtjen e 30 përqindëshit blu të planetit tonë, deri në vitin 2030. Kjo thirrje që është emërtuar “30×30”, ka për qëllim vetëdijesimin e të gjithëve, se duke mbrojtur të paktën 30% të oqeanit tonë përmes një rrjeti të zonave shumë të mbrojtura, ne mund të ndihmojmë në sigurimin e një shtëpie të shëndetshme për të gjithë!
“Dita Botërore e Oqeaneve” ofron mundësi që të kyçemi drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të ardhmes sonë, përmes iniciativave qytetare siç janë pastrimi i plazheve, programet edukuese, gara, festivale si dhe ngjarje dhe aktivitete të ndryshme, të cilat ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është oqeani për jetën e të gjithëve.