“Këndo, fluturo dhe lartësohu si zog”, është kjo motoja me të cilën shënohet këtë vit ‘Dita Botërore e Shpezëve Migrues’, e cila shënohet sot (8 Maj) dhe i dedikohet ndërgjegjësimit për zogjtë migrues dhe nevojës për bashkëpunim ndërkombëtar për t’i ruajtur ata.
Këtë vit fushata do të përqendrohet në fenomenet e “këngës së zogut” dhe “fluturimit të zogut”, si një mënyrë për të frymëzuar dhe lidhur njerëz e të gjitha moshave në të gjithë botën, për t’u bashkuar në përpjekje globale për të mbrojtur zogjtë dhe habitatet që u duhen atyre për të mbijetuar.
Për shumë njerëz, cicërimat dhe këngët e zogjve gjatë pandemisë por edhe në kohëra jo të mira, kanë qenë një burim ngushëllimi dhe gëzimi, duke i lidhur njerëzit me njëri-tjetrin dhe me natyrën njëkohësisht.